Ministria e Shëndetësisë, në ditën e fundit të vitit, më 31 dhjetor, shpalli një tender dyvjeçar për prokurimin e sensorëve për monitorimin e vazhdueshëm të glukozës për personat me diabet të tipit 1. Megjithatë, të dhënat e përfshira në thirrje tregojnë se mbulimi real mbetet dukshëm i kufizuar dhe larg nevojave reale të pacientëve, duke ngritur sërish pikëpyetje serioze për prioritetet e politikave shëndetësore.
Sipas dokumentacionit zyrtar, tenderi parashikon zgjerimin e mbulimit për vetëm 150 persona shtesë në një periudhë prej 24 muajsh, duke e çuar numrin total të përfituesve në 800. Kjo nënkupton se vetëm rreth 18 për qind e 4.800 personave të regjistruar me diabet të tipit 1 në vend do të kenë qasje në teknologjinë CGM, ndërsa rreth 3.900 pacientë do të mbeten jashtë mbështetjes shtetërore, pavarësisht se bëhet fjalë për një teknologji që konsiderohet standard i kujdesit në shumicën e vendeve evropiane.
Federata e Shoqatave të Diabetikëve vlerëson se ky tender nuk paraqet progres, por vazhdimësi të një qasjeje të vjetër, ku zgjerimi i mbulimit bëhet në mënyrë minimale dhe pa një strategji afatgjatë. Sipas tyre, institucionet kishin premtuar se deri në vitin 2025 të paktën 1.500 persona me diabet të tipit 1 do të mbuloheshin me teknologjinë CGM, ndërsa realiteti tregon se edhe pas këtij tenderi, shumica dërrmuese e pacientëve do të mbetet pa qasje në këtë formë të monitorimit. “Në vend që të ndërtohet një sistem i qëndrueshëm dhe i drejtë për të gjithë pacientët, po shohim mbulim minimal, vonesa të vazhdueshme dhe mungesë të një vizioni të qartë. Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë janë të qarta: sistemet CGM nuk janë luks, por standard kujdesi për njerëzit me diabet të tipit 1, dhe mungesa e tyre rritë rrezikun për komplikime serioze dhe kosto më të larta për sistemin shëndetësor”, thuhet në reagimin e Federatës.
Sipas specifikimit të tenderit, Ministria e Shëndetësisë kërkon furnizimin me sisteme të monitorimit të vazhdueshëm të glukozës me sensorë dhe transmetues të integruar ose të veçantë. Në rastet kur sistemi i monitorimit ka kohëzgjatje prej shtatë ditësh, parashihet furnizimi me 105 sensorë për pacient, apo gjithsej 15.750 copë për periudhën dyvjeçare, ndërsa sensorët duhet të jenë të miratuar për përdorim si për fëmijë ashtu edhe për të rritur.
Federata shpreh shqetësim të veçantë se kriteri i “çmimit më të ulët” mund të ketë përparësi ndaj cilësisë, saktësisë dhe sigurisë së pajisjeve mjekësore, duke rikujtuar përvojat negative nga tenderët e mëparshëm. Si shembull përmendet rasti i 11-vjeçares Jana Kostadinovska, për të cilën babai i saj reagoi publikisht se sensorët e siguruar nga shteti zgjatnin vetëm tri ditë, ndonëse duhej të kishin kohëzgjatje dyjavore. “Kjo na detyroi të blejmë vetë sensorë shtesë, me shpenzime mujore që arrinin deri në 100 euro, një barrë e rëndë financiare për familjet që tashmë përballen me kosto të larta për trajtimin e diabetit”, deklaroi ai.
Ndër të tjera, Federata e Shoqatave të Diabetikëve prej vitesh kërkon vendosjen e një çmimi reference për terapinë dhe pajisjet mjekësore, model që do t’u mundësonte pacientëve të zgjedhin vetë pajisjet që u përshtaten nevojave të tyre. Megjithatë, kjo kërkesë nuk është pranuar dhe shteti vazhdon të mbështetet në tenderë qendrorë, pavarësisht kritikave të vazhdueshme. (koha.mk)



