Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se viti 2026 do të shënojë përmbysjen e regjimeve diktatoriale dhe triumfin e lirisë për kombet që vuajnë nën shtypje.
Në një deklaratë publike, Berisha u shpreh se pas zhvillimeve ndërkombëtare që kanë çuar drejt vendosjes përpara drejtësisë të disa regjimeve autoritare, radhën, sipas tij, e kanë autoritetet fetare që drejtojnë Iranin.
“2026-a është viti i përmbysjes së diktaturave, viti i zi për diktatorët dhe viti i lirisë për kombet. Kombi pers është në këmbë për lirinë dhe dinjitetin e tij, kundër regjimit më obskurantist që ka njohur ndonjëherë”, u shpreh Berisha.
Ai akuzoi regjimin iranian se po përdor dhunë ekstreme për të shtypur protestat popullore, duke theksuar se ka pasur qindra, në mos mijëra, viktima që ai i cilësoi si “martirë të lirisë”. Sipas Berishës, megjithë represionin, lëvizja opozitare iraniane është e pandalshme.
“Regjimi i Ajetollahëve i ka ditët e numëruara. Liria ka çmimin e saj, por burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat e Iranit janë të gatshëm ta paguajnë atë”, tha ai.
Në këtë kuadër, Berisha deklaroi se Partia Demokratike mbështet fuqishëm opozitën iraniane në përpjekjet e saj për një Iran të lirë, demokratik dhe të pavarur. Ai i bëri thirrje gjithashtu qeverive të vendeve të lira, veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që të mbështesin popullin iranian në betejën e tij kundër regjimit aktual.



