Deputetja e LSDM-së, Sanja Lukarevska, kritikoi qeverinë për nivelin e lartë të borxhit dhe menaxhimin financiar. Ajo tha se qeveria ka propozuar një ligj për huamarrje prej 20 milionë eurosh për ndërtimin e palestrave, pa dhënë detaje për normën e interesit, ndërsa mungojnë fonde për paga dhe masa sociale. Lukarevska paralajmëroi se borxhi publik po rritet rrezikshëm dhe se LSDM do të kundërshtojë çdo huamarrje të re, duke kërkuar ulje të shpenzimeve dhe ndalimin e tenderëve me korrupsion.
“Po paralajmërohet edhe një kredi deri në 6 miliard euro. Banka Botërore parashikon që borxhi publik këtë vit do të arrijë në 62.9% të BPV-së, duke e bërë Maqedoninë e Veriut një nga vendet më të varura nga borxhi në Ballkanin Perëndimor. Kjo qeveri po i shtyn qytetarët drejt robërisë financiare. Kjo duhet të ndalet. Deputetët e LSDM-së do të kundërshtojnë çdo huamarrje të re”, tha Sanja Lukarevska – deputet e LSDM-së.



