Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy muaj që kur Struga mbeti pa ujë të pijshëm, struganët që i paguan faturat e ujit për muajin shkurt, ende nuk i kanë marrë mbrapsht këto para. Kryetari i komunës, Mendi Qyra, thotë se ndërmarrja publike Ujësjellësi nuk ka qenë në gjendje të mirë financiare që ta realizojë këtë obligim. Këshilli i Strugës në njërën nga seancat e mëparshme mori vendim me të cilin struganët u liruan nga pagesa e faturave për muajin shkurt.
“Sigurisht që dëmshpërblimi, i cili është miratuar si vendim nga Këshilli i Komunës së Strugës, duhet të realizohet. Por, Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” momentalisht nuk ka potencial të mjaftueshëm financiar që të përshpejtojë realizimin. Megjithatë, në të ardhmen besoj se do të realizohen, nëse ekziston harmonizim me vendimin e Këshillit dhe në përputhje me ligjin”, deklaroi Mendi Qyra, Kryetar i Strugës.
Nga Ujësjellësi, ndërkaq, thonë se kompensimin e banorëve duhet ta bëjë komuna.
“Në disa këste do të zbriten ato shuma që janë marrë për muajin shkurt. Me vendim të Këshillit është sjellë vendim që kompensimi të bëhet nga ana e komunës. Presim që tek ne të formohet bordi drejtues, të përgatitet marrëveshja dhe të nënshkruhet me komunën për kompensimin e shumës që ne zyrtarisht do t’ua dorëzojmë si ndërmarrje publike, të cilën e kemi faturuar në muajin shkurt”, tha Jovanço Meçkaroski, Drejtor i Ujësjellësit dhe Kanalizimit-Strugë.
Meçkaroski thotë se rreth 9 milionë denarë është shuma që komuna duhet t’ia kompensojë Ujësjellësit për këtë qëllim. Deri më tani, faturat për muajin shkurt i kanë paguar 49% e qytetarëve. Përndryshe, një faturë për një familje katëranëtarëshe arrin nga 500 deri në 700 denarë.



