Gazetarja dhe publicistja Dijana Toska në emisionin “Rishtazi” në Koha ka thënë se ka qenë ithtare e asaj që BDI të shkojë në opozitë, duke mbështetur ndryshimin.
“Unë kam shkruar kundër BDI-së, e kam mbështetur ndryshimin, 20 vite një parti në një demokraci normale nuk ke se çfarë pret më. I bën mirë të shkojë në opozitë”, ka thënë Toska.
BDI, tha ajo u ngrit mbi pushtetin dhe kjo situatë ishte e padurueshme. Sipas saj, madje ka pasur edhe momente kur dikush është shkarkuar bile nga detyra vetëm me një sms.
“Ajo që nuk mund ta duroj te BDI është se u ngritën mbi pushtetin. Në momentin që unë e kam parë se një politikan i rangut të parë të BDI-së me një sms urdhëron ta lëshon dikush vendin e punës, jam stepur. Si mundet një njeri me sms të luajë me një mjek i cili në atë kohë mund të jetë në sallë operacioni, ndoshta dikujt i varet jeta nga kjo, e ky me komoditetin më të madh i thotë lëshoje vendin e punës, Kjo është çmenduri, në demokraci të na ndodhin gjera të tilla nuk lejohet”, ka thënë Toska.



