Sot në Shkup, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, realizoi takim me shefin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në vend, Michalis Rokas, ku u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend dhe perspektivën evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në takim u trajtuan në mënyrë të detajuar obligimet që Republika e Maqedonisë së Veriut ka në raport me Bashkimin Evropian, si dhe përgjegjësia e institucioneve dhe autoriteteve vendore për përmbushjen e të gjitha reformave dhe detyrimeve të nevojshme drejt anëtarësimit të plotë në BE.
Kryetari Ahmeti ritheksoi se integrimi evropian mbetet prioritet strategjik dhe interes madhor shtetëror, duke theksuar se Maqedonia e Veriut nuk ka alternativë tjetër përveç anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Bashkëbiseduesit vlerësuan rëndësinë e vazhdimit të reformave, forcimit të shtetit ligjor, funksionimit demokratik të institucioneve dhe ruajtjes së orientimit pro-evropian të vendit, si parakushte kyçe për avancimin e procesit integrues.



