Është nder i veçantë t’ju drejtohem në këtë ditë që për të gjithë qytetarët e Europës, përfshirë edhe neve, ka kuptim të veçantë. Dita e Europës është kujtesa se Europa lindi nga një vendim politik për të zëvendësuar konfrontimin me bashkëpunim, ndarjen me solidaritet dhe forcën me ligj.
Më lejoni që në fillim ta falënderoj Fondacionin “Konrad Adenauer”, Lëvizjen Europiane në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Qendrën “Wilfried Martens” për Studime Europiane për organizimin e kësaj ngjarjeje. Bashkëpunimi i vazhdueshëm me partnerët tanë gjermanë dhe europianë ka qenë dhe mbetet një burim i çmuar i mbështetjes institucionale për rrugëtimin tonë europian.
Tema që na ka mbledhur sot, “Nga Vizioni i Schuman-it te Realiteti Gjeopolitik” i tejkalon kriteret e një temë akademike dhe ajo kërkon më shumë analizë, shpjegim e argumentim. Për mua, kjo është një çështje politike që kërkon përgjigje politike dhe guxim politik.
Para 76 vitesh, Robert Schuman e formuloi vizionin europian me një bindje që edhe sot jehon fuqishëm: se Europa nuk do të ndërtohej me një akt të vetëm, por përmes mekanizmave konkretë që krijojnë një solidaritet të vërtetë. Ai mesazh, i lindur në mesin e rrënojave të një lufte, sot është më shumë se kurrë relevant për rajonin tonë, ku zgjerimi i Bashkimit Europian është bërë një investim strategjik në vetë qëndrueshmërinë e kontinentit.
Të dashur miq,
Republika e Maqedonisë së Veriut, që nga dita e parë e pavarësisë, ka pasur një busull strategjike të qartë: integrimin europian dhe euroatlantik. Ky orientim është shprehje e konsensusit më të gjerë qytetar e institucional. Ai u ka mbijetuar ndryshimeve të qeverive, sfidave të brendshme, por edhe pengesave të jashtme. Dhe, sot ai vazhdon të mbetet i palëkundur dhe rruga e vetme pa alternativë.
Megjithatë, nuk do ishim të sinqertë nëse nuk e themi hapur se rrugëtimi ynë drejt familjes europiane nuk ka qenë dhe vazhdon të mos jetë i lehtë. Ne kemi dëshmuar maturi dhe guxim politik atëherë kur i kemi dhënë përparësi dialogut përballë përplasjes. Kompromisi historik me fqinjin tonë jugor ishte një akt i tillë përgjegjësie dhe pjekurie politike, ndërsa ne vazhdojmë të jemi të gatshëm për dialog parimor me të gjithë fqinjët, sepse jemi të bindur se asnjë çështje bilaterale nuk duhet të bëhet pengesë e përhershme në rrugën tonë europiane.
Por, përderisa ne e kemi qartësuar prej kohësh çështje se çfarë duam dhe për çfarë angazhohemi, megjithatë kjo nuk ka qenë e mjaftueshme që ky synim të përmbushet. Aryset mund të jenë të shumta dhe mund të lokalizohen në disa pika gjeografike e politike, por ato nuk e zhbëjnë faktin se Maqedonia e Veriut, përkundër përpjekjeve dhe përkushtimit, ende nuk i ka filluar negociatat për aderim në BE.
Të nderuar të pranishëm,
Megjithatë, konteksti gjeopolitik në të cilin po flasim sot është thelbësisht ndryshe nga ai i një dekade më parë. Lufta në Ukrainë, paqëndrueshmëria në Lindjen e Mesme, ndikimet e huaja dashakeqe në hapësirën digjitale dhe informative, garat e reja për ndikim në kontinentin tonë, të gjitha këto e kanë bërë të qartë se integrimi europian i Ballkanit Perëndimor nuk është më vetëm çështje e vendeve kandidate, por është çështje e sigurisë së përbashkët europiane.
Në këtë kuptim, përgjigjja gjeopolitike që kërkon koha jonë duhet të jetë aq e guximshme sa t’u mjaftojë si përgjigje sfidave të saj. Hendeku mes deklarimeve politike dhe realitetit të procesit rrezikon ta krijojë atë që e kam quajtur edhe më herët „dhomën e pritjes së përhershme”, një hapësirë ku reformat dekurajohen dhe ku qytetarët e humbin besimin, ndërsa kjo mund të shkaktojë vakum gjeopolitik, që mund të shihet si mundësi nga aktorë të tjerë. Prandaj kur jemi te kjo temë, mund të konstatojmë se Ballkani ka ende durim për të pritur, por Europa nuk ka kohë të humbë.
Kur jam këtu, dua t’ju them se më takon mua të konfirmoj se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë të jetë partner i besueshëm i këtij procesi. Ne jemi të vetëdijshëm se Brukseli është destinacioni përfundimtar dhe se itinerari europian i vendit kalon në institucionet tona, në reforma, në sundimin e ligjit dhe në besimin që ne u japim qytetarëve tanë, por integrimi kërkon edhe një gjë tjetër – kërkon që guximi politik të ketë një horizont të prekshëm dhe që merita të shpërblehet.
Të nderuar të pranishëm,
Dita e Europës na e rikthen vëmendjen te fuqia e idesë europiane, një projekt vizionar që ndërtoi paqen, unitetin dhe stabilitetin në një kontinent dikur të përçarë nga konfliktet. Prandaj, në frymën e kësaj dite dhe të temës së sotme, dua ta mbyll fjalën time me fjalët e Deklaratës së Schuman-it, që edhe pas shtatë dekadave tingëllon si një thirrje për përgjegjësi dhe veprim: “Paqja botërore nuk mund të mbrohet pa bërë përpjekje kreative në përpjesëtim me rreziqet që e kërcënojnë atë.”
Europa është një kontratë mes vendeve që i ndajnë vlerat e njëjta, ndërsa ne prej kohësh e kemi nënshkruar këtë kontratë. Tash na mbetet që ta zbatojmë bashkërisht, me vendosmëri, me maturi dhe me unitet.
Le të bashkohemi të gjithë në Europë e bashkuar!



