Deçani po hyn në një fazë të re zhvillimi turistik, pasi “Bjeshka e Madhe” po shndërrohet në një qendër të re skijimi, duke i shtuar edhe më shumë vlerë potencialit malor dhe ekonomik të kësaj zone të njohur për bukuritë natyrore.
E vendosur në zonën alpine mbi Deçan, në kuadër të vargmalit të Bjeshkëve të Nemuna, Bjeshka e Madhe njihet për relievin e përshtatshëm malor, terrenet e hapura me pjerrësi natyrore ideale për sportet dimërore, ajrin e pastër dhe panoramat mahnitëse që shtrihen drejt majave të thepisura të Alpeve Shqiptare. Dimrat me reshje të bollshme bore dhe lartësia mbidetare e bëjnë këtë zonë veçanërisht të favorshme për zhvillimin e skijimit dhe turizmit dimëror.
Në muajin mars të këtij viti pritet të organizohet një garë promovuese nën organizimin e Federatës Skitare të Kosovës, në bashkëpunim me institucionet relevante shtetërore, duke shënuar kështu një hap konkret drejt funksionalizimit të plotë të qendrës së re.
Krijimi i kësaj qendre skijimi pritet të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik lokal, duke hapur mundësi të reja për punësim, për zhvillimin e bizneseve familjare, hotelerisë dhe gastronomisë tradicionale. Përveçse një investim në sport, “Bjeshka e Madhe” shihet si një investim në të ardhmen e turizmit malor në Kosovë.
Me këtë projekt, Deçani jo vetëm që pasurohet me një destinacion të ri dimëror, por konsolidohet edhe më shumë si një nga pikat më atraktive për turizëm natyror dhe aventurë në vend.



