Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Bojan Mariçiq, me ftesë të Fondacionit Metamorphosis mori pjesë në konferencën “Forcimi i rezistencës ndaj manipulimeve të informatave gjatë zgjedhjeve “, e cila u realizua në kuadër të projektit “Përballja me manipulimet me informatat e lidhura me zgjedhjet dhe ndikimin e huaj “.
Në sesionin e dedikuar për përballjen me ndërhyrjet e huaja dhe manipulimet me informata (FIMI), dezinformatat dhe kërcënimet ndaj integritetit zgjedhor, kryetari i KSHZ-së, Mariçiq theksoi se në epokën digjitale integriteti zgjedhor nuk varet vetëm nga siguria fizike e procesit zgjedhor, por edhe nga aftësia e institucioneve për të reaguar shpejt ndaj fushatave të koordinuara të dezinformimit. Sipas tij, rregullimi i pamjaftueshëm i hapësirës onlajn dhe koordinimi i dobët institucional paraqesin dobësi serioze të cilat i shfrytëzojnë kërcënimet hibride.
Në fjalimin e tij, kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Mariçiq, vuri theks të veçantë mbi sfidat dhe rreziqet me të cilat përballen organet zgjedhore gjatë mbrojtjes së integritetit zgjedhor, duke nënvizuar se presioni më i madh ndaj tij ndodh në krijimin e perceptimit te votuesit, përmes manipulimeve të orkestruara të jashtme me informata dhe dezinformata.

“Mbrojtja më e mirë e integritetit zgjedhor nuk qëndron në vendosjen e censurës apo bllokadave digjitale, por në shpejtësinë e ofrimit të së vërtetës nga ana e institucioneve. Integriteti zgjedhor sot nuk mbrohet më vetëm në vendvotime, ai mbrohet edhe në hapësirën digjitale”, tha Mariçiq.
Në këtë drejtim, ai vuri në dukje se Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve është i gatshëm për koordinim të plotë dhe ndërtim të partneriteteve me të gjithë aktorët shoqërorë, me qëllim të ruajtjes së përhershme të besimit të qytetarëve në proceset demokratike dhe zgjedhore në vend.
Në kuadër të ngjarjes u theksua nevoja për përfshirje më aktive të vendeve kandidate për në BE në Mburojën demokratike evropiane si dhe u realizua simulimi i parë praktik i një sulmi informativ gjatë zgjedhjeve.
Ngjarja, e organizuar nga Fondacioni Metamorphosis në bashkëpunim me Internacional IDEA (International IDEA), dhe e mbështetur nga Global Affairs Canada, bëri bashkë përfaqësues të lartë nga sektori civil, Qeveria, Drejtoria për zgjerim e Komisionit Evropian, si dhe ambasadorët e Suedisë dhe Lituanisë. Në panel-diskutimet, përveç Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, morën pjesë edhe përfaqësues të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele, Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe ekspertë ndërkombëtarë nga European Trust Alliance dhe European Fact-Checking Standards Network.



