Deputetja dhe nënkryetarja e VLEN-it, Mimoza Musa ka njoftuar për pjesëmarrjen e saj në Konferencën e Dytë Ndërparlamentare për Luftën kundër Krimit të Organizuar në rajonin e OSBE-së, e cila u mbajt në Romë.
Sipas saj, në konferencë morën pjesë mbi 150 deputetë dhe ekspertë nga më shumë se 40 vende, ku u diskutua për sfidat që paraqet krimi i organizuar, trafikimi i drogës dhe ndikimi i tyre në sigurinë dhe sundimin e ligjit.
Postimi i plotë:
“Mora pjesë në Konferencën e Dytë Ndërparlamentare për Luftën kundër Krimit të Organizuar në rajonin e OSBE-së, e mbajtur në Romë, së bashku me delegacionin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në këtë konferencë, ku morën pjesë mbi 150 deputetë dhe ekspertë nga më shumë se 40 vende, u diskutua për sfidat globale që paraqet trafikimi i drogës, krimi i organizuar dhe ndikimi i tyre mbi sigurinë, shëndetin publik dhe sundimin e ligjit.
Mesazhi ishte i qartë: lufta kundër krimit të organizuar kërkon bashkëpunim ndërkombëtar, institucione të forta dhe investim të vazhdueshëm tek të rinjtë përmes edukimit dhe parandalimit.
Në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, sfidat janë të përbashkëta dhe po aq e përbashkët duhet të jetë edhe përgjigjja jonë”, ka përfunduar Musa.



