Dogana e Maqedonisë së Veriut ka sekuestruar 500 mijë euro cash të fshehura brenda një minibusi në pikën kufitare “Tabanoc”. Mediat fqinje raportojnë se automjeti ishte nisur nga Shqipëria dhe në drejtimin e tij, ka qenë një shtetas shqiptar me iniciale XH.G.
Ndaj tij kanë nisur hetimet sipas ligjit maqedonas, ndërsa minibusi dhe paratë janë konfiskuar. Shuma ishte fshehur në një strukturë metalike të improvizuar në pjesën e shkallëve të brendshme të minibusit.
Boban Nikollovski, drejtor i Doganës së Maqedonisë së Veriut, është shprehur se ata kanë ndaluar një përpjekje për transferim të paligjshëm të parave “cash” në shumën prej gjysmë milioni euro, duke rezultuar në sekuestrimin më të madh deri më sot në historinë e Administratës së Doganave të Republikës së Maqedonisë.
“Devizat dhe automjeti janë sekuestruar, ndërsa kryerësi, një shtetas i Republikës së Shqipërisë me inicialet XH.G., i cili drejtonte minibusin, po ndiqet në përputhje me ligjin, për të cilin Gjykata Themelore në Kumanovë ka nxjerrë tashmë aktgjykim.
Përpjekja u zbulua gjatë një operacioni të Departamentit Operativ në hyrje të Pikës Kufitare shtetërore “Tabanoc”, ku u krye një kontroll i detajuar në një mikrobus në pronësi të një agjencie udhëtimesh nga Shqipëria, që po transportonte shtatë pasagjerë”, tha Boban Nikollovski, drejtor i Doganës së Maqedonisë së Veriut.



