Ka ngjallur interes të madh dhe emocione të shumta promovimi i doracakut më të ri psikologjik e praktik, “Nuk Je Vetëm” (Udhërrëfyes shprese dhe praktike për prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta), me autor Msc. Boletin Zenunin.
Në këtë ngjarje me rëndësi të veçantë sociale dhe humane, krahas figurave publike, akademikëve dhe bashkëpunëtorëve, ranë në sy edhe figura e njohur politike dhe institucionale, ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nazim Bushi, i shoqëruar nga kriminologu dhe akademiku i ri, Rijad Bejtulla.

Doracaku i autorit Zenuni vjen si një dritë shprese dhe një udhërrëfyes tejet i nevojshëm për të gjithë prindërit që përballen me sfidat e përditshme të rritjes së fëmijëve me nevoja të veçanta, duke ofruar këshilla të vyera profesionale dhe mbështetje morale.
Prania e z. Bushi dhe kriminologut z.Bejtullaut në këtë promovim konfirmon mbështetjen e fuqishme që strukturat profesionale që po u bëjnë nismave që prekin direkt ndjeshmërinë dhe mirëqenien shoqërore. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bejtullau u shpreh krenar për punën e autorit, duke e cilësuar këtë libër si një kontribut me vlerë të jashtëzakonshme humane dhe profesionale.
Ky promovim rikonfirmon faktin se shoqëria jonë ka nevojë jetike për prurje të tilla që ofrojnë zgjidhje praktike dhe mbështetje shpirtërore për kategoritë më të ndjeshme.



